Një vit i tërë në rrugë. Netët në një lulishte, disa qese si i vetmi “bagazh” dhe ushqimi që i sigurohej herë pas here nga një qytetare që nuk mund të qëndronte indiferente. Kjo është historia e 59-vjeçares Dile Boçi në Laç.
Në redaksinë e Fiks Fare mbërriti denoncimi i një qytetareje, e cila kërkoi ndihmë për gruan që prej muajsh e shihte të qëndronte në të njëjtin park. Denoncuesja tregon se e has pothuajse çdo mbrëmje, kur kthehet nga puna. Sipas saj, Dile qëndronte në të ftohtë, pa ushqim dhe në kushte të rënda higjienike.

Për të mos e lënë pa ngrënë, qytetarja tregon se i çonte ushqim pothuajse çdo darkë. Por historia që Fiksi gjeti në terren ishte edhe më e rëndë.
“Jam Dile Boçi, 59 vjeç.”
Ekipi i Fiks Fare, së bashku me denoncuesen, shkoi në vendin ku qëndronte gruaja. Ajo ishte aty, në lulishte, me disa qese pranë vetes.
Kur u pyet për emrin, tha se quhej Dile Boçi dhe ishte 59 vjeç. Biseda me të ishte e vështirë. Dile fliste në mënyrë të çorientuar dhe shpesh nuk arrinte të jepte përgjigje të qarta për jetën e saj.

Një tjetër rrëfim i saj e bëri edhe më të pazakontë situatën. Dile tha se shkonte deri në Peshkopi në këmbë për t’u larë dhe më pas kthehej sërish në këmbë. Por pas këtij rrëfimi fshihej një problem edhe më i madh: gjendja e saj shëndetësore.
Fiksi kontakton Bashkinë e Kurbinit Përballë situatës së rëndë, Fiks Fare kontaktoi menjëherë kryetaren e Bashkisë Kurbin, Majlinda Cara.
Kryebashkiakja tha se nuk kishte dijeni për rastin dhe se do të njoftonte menjëherë shërbimin social. Dhe ndërhyrja nuk vonoi. Pas pak minutash, punonjësit e shërbimit social mbërritën në vendin ku ndodhej Dile. Ata konfirmuan se gruaja kishte nevojë jo vetëm për ndihmë sociale, por edhe për trajtim të specializuar për shkak të problemeve të shëndetit mendor.

Sipas shërbimit social, Dile kishte qenë më parë në psikiatri, por ishte larguar. Ata pranuan se rasti ishte i vështirë për t’u menaxhuar, pasi mungojnë vendet në institucionet psikiatrike dhe qendrat e rehabilitimit.
Megjithatë, këtë herë vendimi ishte i menjëhershëm. Shërbimi social deklaroi se do të kryheshin të gjitha ekzaminimet e nevojshme dhe do të përcaktohej se ku do të merrte trajtimin dhe kujdesin e mëtejshëm.
Nga lulishtja në spital
Pak pas deklaratës së shërbimit social, në vend mbërriti ambulanca. Dile Boçi u mor nga lulishtja ku kishte kaluar netët dhe u transportua në spitalin rajonal të Kurbinit.
Aty nisi ekzaminimet mjekësore. U pastrua, u vesh dhe u ushqye, ndërsa mjekët nisën trajtimin e saj. Sipas informacioneve të Fiks Fare, 59-vjeçarja vijon të trajtohet në spital, ndërsa shërbimet sociale po vlerësojnë mundësinë e një zgjidhjeje më të qëndrueshme për të.

Një grua që për më shumë se një vit kishte jetuar në rrugë, tashmë nuk është më vetëm në atë lulishte. Fiks Fare e çoi historinë e saj nga rruga te institucionet.
Por beteja nuk mbyllet këtu: zgjidhja e vërtetë është që Dile të ketë një strehë dhe kujdesin që i nevojitet, edhe pasi të dalë nga spitali.
Top Channel
