Për të gjitha anijet që që marrin udhëtarë në bord mbi kapacitetin dhe cënojnë masat e sigurisë, do të ketë masa të rrepta të karakterit financiar. Sot në Portin e Vlorës me urdhër të Drejtorisë së Përgjithshme Detare u riformatua grupi i punes "Task Force", i përbërë nga Kapiteneria e Portit Vlore, Policia Kufitare dhe Siguria Portuale me qëllim kontrollin e kapaciteteve të anijeve turistike +12 pasagjerë.
U kontrolluan me imtësi të gjithë pasagjerët që u imbarkuan nga të cilat disa mjete turistike nuk u lejuan të marrin pasagjerë më tepër se kapaciteti i lejuar sipas certifikatës së Regjistrit Detar Shqipëtar.
Pasagjeret që ishin mbi kapacitetet e lejuara të anijeve turistike +12 pasagjerë, që kishin zgjedhur fundjavën për plazh në ishullin e Sazanit dhe Gadishullin e Karaburunit u imbarkuan në anijet e tjera me kapacitete të mjaftueshme.
Kapiteneria e Portit të Vlors çdo ditë përpara nisjes në portin e Vlorës dhe zonën e Radhimës duhet të monitorojë kapacitetet e këtyre anijeve, të cilat në fundjavë kanë një ngarkesë të lartë pune. Numri i turistëve që transportojnë shkon në 1300.
Drejtoria e Përgjithshme Detare me seli në Durrës njofton se Kapiteneria e Portit Vlorë së bashku me Policinë Kufitare dhe Sigurinë Portuale të Portit Vlorë do të vijojë kontrollet në pikat e nisjes së këtyre mjeteve, si dhe në det të hapur dhe për të gjitha mjetet që shkelin Kodin Detar Shqiptar do te merren sanksione për veprime të kundërligjshme gjatë transportit.
Kapiteni i anijes ose personi që vepron në vend të tij dënohet me një gjobë prej 2 mijë euro, ose në kundërvlerën me monedhë kombëtare, për veprat e kundërligjshme detare.