Shikon agresorin e tij në televizion, të intervistuar mes të arratisurve nga ISIS-i dhe e denoncon në “Facebook”.


Ivana Waleed, ka qenë një nga skllavet seksi yazide të rrëmbyera nga njerëzit e Kalifatit dhe fytyrën e përdhunuesit të saj nuk e ka harruar. “Është ai, – ka shkruar duke postuar një foto të të dyshuarit, – quhej Abu Ali dhe ishte përgjegjësi i blerjeve dhe shitjeve të mijëra vajzave yazide. Unë vetë kam qenë një prej tyre dhe jam shitur nga ai tek një mik i tij”.


Ivana është intervistuar nga televizioni satelitor kurd “Rudaw”, i cili kishte transmetuar një video në të cilën vajza ka parë njeriun që e akuzon se është një tregtar i skllaveve, i cili ishte fshehur mes civilëve të arratisur në këto ditë nga qyteti Tal Afar.


“Ky njeri më ka blerë dhe shitur disa herë. Nuk mund ta harroj fytyrën e tij”, – ka shkruar vajza në faqen e saj në “Facebook”, e cila sot ndodhet në Gjermani, ku ka marrë statusin e refugjates.


Vajza i kërkon qeverisë irakiane të arrestojë të dyshuarin dhe shprehet “e gatshme të shkojë të dëshmojë së bashku me dhjetëra vajza të tjera yazide përpara gjykatësve”.


“Ju lutem arrestojeni, sepse ky kafshë mund të tregojë se ku kanë përfunduar me qindra vajza të tjera të zhdukura”.


25 gusht 2017 (gazeta-Shqip.com)