Gazetari Eraldo Harlicaj ka zbuluar detaje të reja në lidhje me biznesmenin që u vra mbrëmjen e djeshme në Sarandë.

I ftuar në “Shqipëria Live”, Harlicaj ka zbuluar se e njihte personalisht biznesmenin, me të cilin kishte komunikuar prej kohësh. Ai tha se gjatë një bisede mes tyre, Ismaili i kishte shprehur problemin që kishte me pronat, pasi disa persona kërkonin t’ia merrnin. Por më tej, gazetari shpjegoi se në sherrin që i mori jetën, nuk ka qenë ai në qendër të konfliktit.

“E kam takuar në vitin 2020. ai ishte tip ‘babaxhan’. Ai më ka ndihmuar gjatë kohësh që punoja, të jepte dhe informacione. Por kam patur disa telefonata ku më shprehte shqetësime për pronat. Më thoshte ‘Njerëzit do vriten në këtë vend për pronat’. Më shpjegonte se kishte njerëz që donin të merrnin pronat e të tjerëve. Ai ka patur në pronësi një tokë nga më të lakmuarat në Ksamil. Ka patur persona që kanë dashur t’ia marrin, por në këtë rast nuk ka qenë ai personi në qendër të konfliktit. Dyshohet se në qendër ishte një person tjetër me të cilin Ismaili po konsumonte kafe. Ismaili është një ndër biznesmenët e hershëm të zonës, që e ka krijuar vetë pasurinë e tij.”– tha ai.