Ish-ndihmëssekretari amerikan i Shtetit, James Rubin ka vijuar dëshminë e tij para Gjykatës së Hagës, si dëshmitar në mbrojtje të ish- krerëve të UÇK-së.
Rubin deklaroi se shqiptarët vriteshin nga serbët vetëm për shkak të etnisë së tyre. Ai tha se qëllimi i politikës së SHBA në atë kohë ishte që të parandalonin përsëritjen dhe krizën e Bosnjës. Kwto deklarata Rubin i bwri pasi u pyet nga avokati i Kadri Veselit lidhur me ndërhyrjen ndërkombëtare në Kosovë.
“Na shqetësonin shumë raportet që merrnim, familje që vriteshin, që u digjeshin shtëpitë, dhe vriteshin thjesht sepse ishin shqiptarë të Kosovës. Kjo filloi të ngjasonte me krizën e Bosnjës, ku u vranë njerëz e u masakruan thjeshtë për shkak të etnisë së tyre dhe jo për diçka që kishin bërë dhe filluam të shihnim që po shfaqej e njëjta politikë, e njëjta gjë, dhe kjo na bëri të vepronim, ata ishin viktima, jo vetëm se ishin të shtypur me dhjetëra vite, por po masakroheshin nga forcat ushtarake serbe, dhe ne nuk donim që të përsëritej tmerri i Bosnjës në Kosovë, ky ishte qëllimi i politikës sonë, të parandalonim të përsëritej e njëjta gjë”, u shpreh ai.
Gjatë dëshmisë së tij para trupit gjykues, Rubin tha se qëllim kishin mbrojtjen e civilëve të pafajshëm.
“Pas Bosnjës ku menduam se e ndaluam një luftë dhe ndihmuam krijimin e një shoqërie tolerante, të mos ishte kaotike, ne ishim krenarë për këtë që bëmë, dhe pamë situatë të re në Kosovë, dhe ne donim të siguroheshim të ishim në anën e engjëjve themi ne, në anën të mirëve, nuk donim që ata të ishin viktima. Por s’mund të ishin viktima nëse do të kryenin krime lufte, as nuk do të ishin viktima nëse do të kishin qasje ekstremiste islamiste. Në këtë kohë Amerika ishte superfuqi, donim të ishim në anën e viktimave …Ne nuk donim të bënim operacione ushtarake apo të harxhonim me miliarda dollarë për persona apo organizata që nuk shprehnin tolerancë të paktën publikisht. Këta janë persona pa pushtet, këta ishin viktima, ne takoheshim me ta, ndërkohë ata ishin viktimat e një shtypësi. Ishin persona që ishin në anën e kundërt të pushtet në Kosovë, dhe ne donim të siguroheshim që të ishin të lirë dhe të mos ndiqnin politikat e shtypësit”, shtoi ai gjatë dëshmisë në Hagë.