I riu që punonte si kamerier në një hotel në Vlorë dhe që u dhunua nga dy persona ka folur për mediat lidhur me ngjarjen. Ai ka treguar se u dhunua për shkak se një shishe uji ishte dërguar gabimisht në tavolinën e tyre.

Pasi ju ka thënë që mos të ofendojnë se porosia ishte ngatërruar, Ardian Isufi, ish-shef i qarkullimit në Vlorë dhe Leart Bino, një person me të kaluar kriminale, e kanë ndjekur kamerierin deri te banaku dhe e kanë goditur.

“Erdhën dy zotërinj dhe u ulën në tavolinë. Porosinë e mori dikush tjetër, unë vetëm e shpërndava. Porosia ishte një ujë në shishe të madhe, një e vogël dhe një makiato. Kur ua çova, njëri prej tyre më tha: ‘Vetëm një ujë sill, se ai tjetri është rrotë k…’. I thashë që s’ka problem, e heq ujin, por s’ka nevojë të shash, se ka ndodhur pa dashje. Vijnë të dy burrat nga 40 vjeç e sipër, më ndoqën deri në banak. I thashë ‘të lutem mos më kap me dorë’. Ishte dhe menaxheri aty. Njëri më qëlloi me shpullë dhe dy herë me grusht, në fytyrë dhe qafë. Më hodhi syzet. Mirë që nuk mi theu. Sapo i kam mbushur 18 vjeç”, ka rrëfyer i riu.

Ngjarja ka shqetësuar klientët e pranishëm, pjesën tjetër të stafit përfshirë edhe turistë të huaj, të cilët janë larguar të tmerruar nga skena e paprecedentë e dhunës.