Janë bërë publike fotot e Erdi Gjiritit dhe Ardit Çitakut, të arrestuar së fundmi nga Policia e Tiranës, pjesë e një grupi që trafikonin dhe shisnin drogë. 

Erdi Gjiriti kishte si detyrë ruajtjen e magazinës ku fshihej malli ndërsa Ardit Çitaku është pjesë e grupit ndërsa në momentin e arrestimit ndodhej në magazinë ku dhe u gjetën e sekuestruan dozat e kokainës. 

Specialistët e Komisariatit të Policisë Nr. 4, në vijim të punës për goditjen e veprimtarive kriminale në fushën e narkotikëve, bazuar në informacionet e siguruara në rrugë policore, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Warehouse”. Në kuadër të këtij operacioni, u arrestuan në flagrancë shtetasit:   

Xh. Z., 25 vjeç, R. K., 21 vjeç, E. Gj., 37 vjeç, A. C., 22 vjeç dhe A. K., 22 vjeçe, të pestë banues në Tiranë.  

Në rrugën “Myslym Keta”, gjatë kontrollit në magazinën e shtetasit R. K., me veprimtari prodhimin e paletave të drurit, u gjetën një valixhe me 9 kg lëndë të dyshuar narkotike kanabis dhe 1 armë zjarri pistoletë. Nga hetimet dyshohet se sasia e lëndës narkotike është transportuar nga Sukthi në Tiranë, nga shtetasi Xh. Z., në bashkëpunim me shtetasen A. K.    

Gjatë ndërhyrjes së Policisë, në magazinë u konstatuan shtetasit A. C. dhe E. Gj. Gjatë kontrollit fizik, shtetasi E. Gj. iu gjet një sasi lënde narkotike kokainë.   

Në vijim të veprimeve procedurale, gjatë kontrollit në banesën e shtetasit Xh. Z., u gjetën 1 armë zjarri pistoletë dhe 2 armë të ftohta.   

Hetimet vijojnë për identifikimin e shtetasve të tjerë të implikuar në këtë veprimtari kriminale. 

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.