Transfertat e parave me vlerë deri në 40 mijë lekë nga qytetarët tashmë do të kryhen pa asnjë komision. Vendimi u miratua në mbledhjen e fundit të Këshillit Mbikëqyrës, duke ulur ndjeshëm kostot e pagesave për qytetarët dhe bizneset, si dhe me synim inkurajimin e përdorimit të kanaleve elektronike. Deri më tani, shuma që mund të transferohej pa komision ishte 20 mijë lekë.
Gjithashtu, Banka e Shqipërisë ka parashikuar që për pagesat elektronike deri në 10 milionë lekë, komisionet të ulen me gati 10 herë, duke e bërë më të leverdishëm përdorimin e sistemit AECH. Edhe për pagesat në euro, komisionet minimale dhe përqindjet e aplikueshme janë ulur ndjeshëm, duke ofruar kushte shumë më të favorshme për transfertat brenda vendit dhe duke krijuar trajektoren e komisioneve për transfertat ndërkufitare SEPA.
Ulja e komisioneve pritet t’u kursejë qytetarëve dhe ekonomisë shqiptare rreth 40 milionë euro në vit, si dhe të krijojë bazën për integrimin në SEPA dhe implementimin e projektit TIPS Clone për pagesat e shpejta.
Këto ndryshime janë një hap i domosdoshëm për nisjen e operacioneve në sistemin europian të pagesave SEPA më 7 tetor 2025, duke siguruar që tarifat për pagesat ndërkufitare në euro të jenë të njëjta me ato të brendshme. Zbatimi i tyre do të ulë ndjeshëm kostot për individët dhe bizneset, do të nxisë konkurrencën dhe përdorimin e pagesave elektronike, si dhe do të garantojë kushte të barabarta në treg për institucionet financiare. Në këtë kuadër, tarifat për pagesat dalëse SEPA nuk do të kalojnë kufijtë e përcaktuar për pagesat vendase në euro.