Egjipti njofton se armëpushimi është pranë dhe lufta tokësore është shmangur
Hamasi dhe Izraeli ranë dakord dje për armëpushim, gjë që pritet të shmangë pushtimin tokësor të Rripit të Gazës, njofton “Reuters”. Të dyja palët duket se ranë dakord të mos hapin më zjarr ndaj njëra-tjetrës nga mesnata e mbrëmshme. Në fakt, duket se presioni ndërkombëtar mbi Izraelin solli edhe armëpushimin. Gjatë gjashtë ditëve të fundit, Izraeli kreu mbi 1500 sulme ajrore mbi Gaza, duke shkaktuar më shumë se 115 viktima. Mes tyre, shumë qenë fëmijë. Lufta filloi të mërkurën e kaluar, kur Izraeli hodhi një raketë dhe vrau një drejtues të Hamasit. Hamasi dhe grupimet e tjera militante palestineze hodhën disa qindra raketa amatore drejt Izraelit, por këto raketa qëlluan vetëm një herë në shenjë, duke vrarë tre civilë të pafajshëm izraelitë.
Shtetet e Bashkuara të Amerikës dërguan sekretaren e Shtetit, Hillary Clinton, për të bindur palët për një armëpushim, ndërkohë që Turqia shprehu pakënaqësi ndaj Uashingtonit për “vonesë” në ndërhyrje.
Dje, gjatë një konference në Stamboll, Kryeministri turk, Rexhep Tajip Erdogan, kritikoi ashpër Izraelin për ndërhyrjen e vazhdueshme ushtarake në Gaza.
“Ata të cilët e lidhin islamin me terrorizmin mbyllin sytë para vrasjes masive të myslimanëve dhe masakrimit të fëmijëve në Gaza. Këto akte e bëjnë Izraelin shtet terrorist dhe aktet e tij janë terroriste.” Erdogan bëri deklarata të ngjashme edhe gjatë një vizite në Kajro javën e kaluar.
Presidenti amerikan, Barak Obama, ka mbrojtur me forcë Izraelin në lidhje me operacionet kundër Gazës, duke përmendur të drejtën e Izraelit për vetëmbrojtje.
Disa vëzhgues politikë në Turqi thonë se pikëpamjet e kundërta të dy udhëheqësve mund të dëmtojë marrëdhëniet mes dy vendeve. Por analisti Sinan Ulgen në Stamboll thotë se është e rëndësishme të shihet përtej retorikës së Kryeministrit.
“Në nivel retorik, Kryeministri turk e ka përdorur këtë mundësi për të përsëritur kritikat e tij ndaj Izraelit, por në të njëjtën kohë Turqia ka qenë një nga vendet, së bashku me Egjiptin dhe Katarin, e bashkuar me udhëheqjen e Hamasit për të folur për të ardhmen e rajonit dhe se si kjo krizë mund të tejkalohet”.
Analistët thonë se mes Presidentit amerikan dhe Kryeministrit turk janë vendosur lidhje të forta, ndërsa dy udhëheqësit janë në kontakt të rregullt, në veçanti në lidhje me konfliktin në Siri dhe mbështetjen e opozitës ndaj Presidentit sirian, Bashar al-Asad. Por Erdogan, me kritikën e ashpër ndaj Izraelit, tërthorazi kritikon Uashingtonin dhe Bashkimin Europian për atë që ai thotë se kanë dështuar për të përmbajtur izraelitët.