Urdhërohen evakuime vetëm një javë pas superstuhisë Sandy që vrau 120 vetë
Nju Jorku dhe Nju Xhersi urdhëruan një evakuim të ri të qendrave të kujdesit për të moshuarit dhe për banorët e zonave të ulëta bregdetare, të cilat sakaq janë shkatërruar nga superstuhia Sandy, për shkak se kësaj zone po i afrohet një stuhi tjetër më e dobët, por gjithsesi e fuqishme.
Kryebashkiaku i Nju Jorkut, Michael Bloomberg, mbylli parqet dhe plazhet dhe ndaloi ndërtimet e jashtme përkohësisht në pritje të stuhisë, e cila e ka goditur zonën e Uashingtonit deri tani me breshër dhe ka krijuar dallgë detare 2-3 metra të larta. Kompanitë ajrore anuluan 770 fluturime.
Mijëra njerëz në bregun verilindor të SHBA-së humbën shtëpitë e tyre dhe më shumë se 621 mijë shtëpi e biznese mbeten pa energji elektrike edhe një javë pas stuhisë. Parashikuesit e motit njoftuan se koha shumë e keqe pritet të godasë sërish zonën. Nga superstuhia Sandy mbi 120 vetë humbën jetën.
Për shkak të pasojave të mëdha të Sandy, Bloomberg nuk u mendua gjatë dhe urdhëroi evakuim të disa lagjeve në Kuins dhe në Staten Island. Edhe banorët e dy qytezave bregdetare të Nju Xhersit u urdhëruan të largohen. Era e fuqishme e stuhisë së re vlerësohet se është në gjendje të rrëzojë pemët e dobësuara nga Sandy dhe parashikimi është për shi dhe borë për të gjithë zonën. Autoritetet kanë nxituar gjatë javës së fundit të pastrojnë dhjetëramijëra tonë copa të mbetura nga Sandy, pasi një stuhi e re mund t’i kthente ato në vrasëse.
“Unë jam me të vërtetë i shqetësuar se moti kaq i ashpër do të bëhet një karakteristikë e përhershme në këtë botë me ndryshime klimaterike”, thotë Corey Birtles, 37 vjeç, një analist që humbi energjinë elektrike në apartamentin e tij në Manhatan për katër ditë pas stuhisë Sandy.
Presidenti Obama, i cili fitoi lavdërime të mëdha për përgjigjen që dha pas Sandy-t, rifitoi postin e Presidentit mbrëmë në garë kundër rivalit republikan, Mitt Romney, dhe ndoshta një pjesë e fitores erdhi nga popullariteti që fitoi nga kjo ngjarje. Bloomberg e mbështeti Obamën për një mandat të dytë, pasi Sandy goditi, duke argumentuar me punën e tij kundër ngrohjes globale.