Spiunazhi
Agjencia sugjeron se Snouden nuk foli me eprorët para se të dilte publikisht
Agjencia Kombëtare e Sigurisë (NSA) në SHBA publikoi një email së fundi, i cili tregon se Eduard Snouden (Edward Snowden) pati vënë në pikëpyetje programet e trajnimit ligjor të agjencisë, por nuk ishte ankuar tek eprorët e vet mbi programet masive të mbikëqyrjes, informacionin mbi të cilat e dha më vonë në media, duke shkaktuar një tërmet diplomatik ndërkombëtar.
Publikimi i email-it nga NSA u bë në mbështetje të akuzave të autoriteteve amerikane se Snouden dekonspiroi programet e përgjimit jo thjesht për shkak të shqetësimeve të tij për mënyrat jodemokratike dhe joligjore të ndjekura nga këto programe. Snouden pretendon se i publikoi të dhënat pikërisht për këtë qëllim, pasi pa se nuk ishte në gjendje të ndalonte përgjimet masive duke vepruar në mënyrë institucionale. Në lidhje me email-in e fundit, ai deklaroi se çfarë është publikuar nga NSA është “e paplotë”.
Në një intervistë këtë javë, Snouden tha se ai kishte ngritur alarmin në nivele të ndryshme brenda agjencisë mbi ligjshmërinë e mbledhjes masive të të dhënave telefonike apo materialeve në internet të nënshtetasve amerikanë. “I kam ngritur shqetësimet jo vetëm zyrtarisht dhe me shkrim me email te këto zyra dhe individë, por edhe te shefat e mi, te kolegët, në më shumë se një zyrë”, – tha Snouden në intervistë. “Shumë prej atyre që fola u tronditën nga programe”, – tha Snouden, i cili shtoi se pas ankesave, atij i ishte rekomanduar të heshtte sepse mund ta shkatërronin. NSA pretendon se Snouden nuk ka vepruar aspak në këtë mënyrë, nuk i ka shprehur shqetësimet e tij në mënyrë institucionale dhe thjesht sa i vodhi informacionet për t’i publikuar, duke dëmtuar në këtë mënyrë Shtetet e Bashkuara.