Kryeministri Edi Rama foli për rrugëtimin e tij politik dhe për çmimin personal që, sipas tij, shoqëron angazhimin në jetën publike.
Kreu i qeverisë u ndal ne Opinion te ndikimi që politika ka në jetën personale të një individi, duke theksuar se zgjedhja për t’u angazhuar në politikën e përditshme nënkupton domosdoshmërisht kufizimin e disa lirive personale. Rama tha se ky angazhim vendos kufij të qartë në sjellje, në mënyrën e jetesës dhe në raportin me hapësirën private, kufij që duhet të respektohen nëse dëshiron t’i qëndrosh besnik rolit publik dhe përgjegjësisë ndaj të tjerëve.
Duke iu referuar këtij realiteti, gjatë bisedës u përmend edhe një episod i së shkuarës, kur shumë vite më parë ishte publikuar një fotografi e kryeministrit nga pushimet në plazh, përpara se ai të angazhohej seriozisht në politikë. Rama pranoi se gjeste apo sjellje të tilla nuk do të ishin më të mundura sot, pikërisht për shkak të rolit publik dhe kontratës morale që, sipas tij, ka me qytetarët që i kanë besuar votën.
Ai theksoi se politika kërkon vetëdije të plotë për kufijtë që duhen vendosur dhe për kompromiset që duhen bërë, jo vetëm për veten, por edhe për respektin ndaj atyre që përfaqëson. Sipas Ramës, në momentin që zgjedh këtë “kostum” të ri, duhet të pranosh se ka disa vijëzime që nuk mund t’i kalosh nëse synon të jesh i suksesshëm dhe koherent me angazhimin tënd publik.
Megjithatë, kryeministri sqaroi se nuk e sheh këtë proces si një humbje të lirisë personale. Ai tha se bëhet fjalë për një zgjedhje të vetëdijshme dhe të lirë, të cilën nuk ia ka imponuar askush. Për më tepër, Rama vlerësoi se sakrificat personale janë të justifikuara për sa kohë janë shndërruar në veprime dhe vendime që, sipas tij, kanë shërbyer për interesin e përbashkët dhe për të tjerët.
“Meqë ra fjala si i angazhuar nuk e bën dot atë që bëre në plazh para se të angazhoheshe,” u pyet ai.
“Atë dhe shumë gjëra të tjera. Kur je dhe një njeri i lidhur në një kontratë me të tjerë sepse ka njerëz që të kanë besuar, të kanë votuar,” tha Rama.
