Kryeministri Edi Rama ka reaguar ndaj komenteve të publikut në një video live në Facebook, ku u pyet mbi hetimet e SPAK ndaj figurave politike të Partisë Socialiste. Një qytetar i sugjeroi Ramës të bëjë një kontroll më të rreptë të njerëzve që përfshin në parti, por ai e hodhi poshtë këtë ide, duke theksuar se një veprim i tillë nuk është as i ligjshëm dhe as i moralshëm.

“Nuk mund të bëjmë ne hetime për njerëzit. Kjo nuk është as e ligjshme dhe as e moralshme,” u shpreh Rama, duke nënvizuar se SPAK ka funksionuar pikërisht falë përpjekjeve të tij dhe të PS për reformën në drejtësi.

Kryeministri theksoi se procesi i drejtësisë është i pavarur dhe se nuk ndikohet nga politika. “SPAK është rezultat i përpjekjeve tona për reformën në drejtësi dhe puna e tij tregon se kjo reformë po funksionon,” shtoi ai.

“As me ligj, ligji nuk e lejon që unë të bëjë kontrolle siç i imagjinon ti, as me traditë nuk bëhet… mos harro që hetimet e SPAK i solli përpjekja dhe rezultati i përpjekjes time me vetëdije të plotë së bashku me skuadrën time për të bërë reformën në drejtësi dhe për të hapur rrugën e pastrimit nga një llum shumë i madh që ishte mbledhur në fyt të kombit shqiptar”, tha Rama.