
Teksa komentonin ftesën e bashkëpunimit që kryeministri, Edi Rama, i bëri kryedemokratit, Lulzim Basha, në studion e “Breaking” në Top News, ndodhi një debat i fortë mes avokatit, Spartak Ngjela dhe analistit, Artur Zheji.
Në momentin që Zheji tha se Partia Demokratike ka rikuperuar 200 mijë vota të humbura në vitin 2017, ndërsa Rama kërkon që të demoralizojë elektoratin e PD, ndërhyn Ngjela.
Ky i fundit shprehet se bashkëpunimi i Ramës për Bashën nuk është ftesë, por me kusht.
“Politika është kjo pjesa e dytë, largimi i Saliut. Po të ishte larguar Saliu, Rama do kishte rënë 4 vite para. Ramën e mban Berisha dhe Rama iu tregon të tjerëve që Berisha është atje”, u shpreh Ngjela.
Avokati më pas përmendi edhe ambasadorin rus. Sipas Ngjelës, ai pret një ndryshim që nuk do të vij. Këtu ndërhyri Zheji, i cili i thotë se nuk ishte ambasadori rus që kërkoi ndryshimin.
“Kjo është thjesht një tentativë për diversion, reagimi i Bashës është i qartë. PD ka rikuperuar 200 mijë vota të humbura në vitin 2017. Rama kërkon që të demoralizojë elektoratin e PD, tha Zheji.
Nga ana tjetër Ngjela shton:”Ore jeni në politikë ju apo jeni në interesa. Ambasadori rus tha që presim ndryshim. Nuk fiton dot Moska këtu, as Athina nuk e marrin dot kalanë se ka ardhur Clinton aty, e kuptoni apo jo”.
Pjesë nga debati:
Zheji: Pusho kujt i drejtohesh kështu avokat, po flet pa lidhje!
Ngjela: Nuk bëj debat me papagall, s’po bëjmë dialog. Ambasadori rus kërkon ndryshim, nuk do të ndodhë.
Zheji: Ke probleme me sklerozën sepse s’mund të ngatërrosh Yuri Kim me ambasadorin rus. Ti mos u merr me mua, bëhu serioz siç ke qenë, as mos fyej se nuk të fyeva. Yuri Kim kërkoi ndryshimin dhe jo ambasadori rus. Vazhdo monologun tënd tani.