Gjovalin Shkambi, xhaxhai i autorit të vrasjes së gjyqtarit Astrit Kalaja, është shoqëruar në polici.
Mësohet se ai është ndaluar pas kërcënimeve publike që ka bërë, teksa deklaroi se gjyqtari që do dënonte nipin e tij, Elvis Shkambi për vrasjen e Kalasë, do kishte të njëjtin fat me këtë të fundit.
“Ne këtë objekt e kemi privatizuar, konform të gjitha ligjeve. Objektin na e ka shitur shteti, ka 13 vite që e kemi privatizuar. Janë tallur me ne, na e kanë përdhunuar. Ne duke i shkruar Edi Ramës… I pari që e ka marrë pronën është axha i babës me vëllezër dhe im atë. E kemi marrë në 1994. Para komunizmit ka qenë prona e gjyshit të babës tem, e stërgjyshit. Në kohën e Zogut, Ahmet Zogu Sulçebekun e ka shpallur në kërkim për ta ekzekutuar. Binak Pjetra, gjyshi i babës tem e ka shpëtuar, ja ka dhuruar dhe ka paguar taksat bashkisë të asaj kohe. Letrat janë të dokumentuara në të gjitha gjykatat.
Ata që do të dënojnë atë do të përballen me të njëjtën gjë. Ata që do të dënojnë nipin do të përballen me plumba, sepse ka 13 vjet që i shkruajmë kryeministrit dhe gjithë qeverisë na i jepni pronën se e kemi blerë. Ai gjyqtari që do dënoj atë ka të njëjtën shpërblim, provat i dhamë.”– deklaronte Shkambi.