Politologu Ermal Hasimja ka reaguar lidhur me përmendjen e emrit të tij si kandidat i mundshëm i opozitës në zgjedhjet e pjesshme për bashkinë e Tiranës.
Hasimja sqaroi se edhe ai vetë ishte i befasuar nga serioziteti që mori emri i tij në diskutimet e opozitës për një figurë të re për garën në kryeqytet.
“48 orë më parë as unë nuk e dija, edhe pse kisha dëgjuar që përmendej emri im. A kam pasur ambicie apo dëshirë? Po, edhe e kam treguar më herët. Në vitin 2005 dhe më vonë në 2015 kemi dashur të bëjmë diçka me impakt publik. Gjërat personale i kemi zgjidhur, s’jam njeri që merrem me tendera apo vjedhje,” u shpreh Hasimja për News24.
Politologu theksoi se nuk është çështje egoje apo mendjemadhësie, por dëshiron të kuptojë më parë vizionin që ka opozita për Tiranën dhe çfarë pret nga ai si kandidat i mundshëm.
“Gjëja e parë që kam thënë kur mora vesh se emri im po merret seriozisht ishte: çfarë duan këta njerëz prej meje? Apo çfarë i lidh me mua? Nëse mendojnë që duhet të pastrojmë administratën duke hequr të gjithë socialistët nga puna, nuk është kjo ajo që unë besoj. Ose nëse mendojnë të ndajmë tenderat ndryshe, sërish nuk është vizioni im. Unë po pres të kuptoj nëse ideja që ka opozita përputhet me atë që mendoj unë për Tiranën”– tha ai.
Hasimja deklaroi se nuk ka ende një program konkret, por si qytetar ka ide të qarta për sfidat e Tiranës.
“Tirana sot është kthyer në një kantier për pastrim parash dhe ndërtime kullash. Nuk është menaxhuar për qytetarët, por për interesat e një grupi njerëzish që nuk e çajnë kokën për këtë qytet.”- tha ai.