Kryeministri Edi Rama përsëriti thirrjen për të mos humbur momentin që, sipas tij, mund ta çojë Shqipërinë drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian, gjatë fjalës përmbyllëse në aktivitetin e organizuar për 35-vjetorin e Partisë Socialiste.

Nga Pallati i Kongreseve, Rama u shpreh se vendi ndodhet në një fazë vendimtare të procesit të integrimit europian dhe se qytetarët duhet të mbështesin këtë objektiv strategjik.

Sipas tij, rreshtimi me Partinë Socialiste në këtë moment nënkupton mbështetje për rrugën europiane të Shqipërisë. Ai theksoi se vendi ka ende sfida për të përballuar, por shtoi se procesi i integrimit nuk duhet të pengohet nga debatet politike të brendshme.

Kryeministri deklaroi gjithashtu se jo të gjitha forcat politike brenda dhe jashtë vendit janë në favor të anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian, duke nënvizuar nevojën për të ruajtur fokusin te objektivi i integrimit.

“Duhet të shtrëngojmë dhëmbët dhe të mos humbasim fokusin”, tha Rama, duke e krahasuar këtë fazë me përpjekjen e notarëve për të përfunduar kalimin e një distance të gjatë.

Në fund të fjalës së tij, kreu i qeverisë tha se përgjegjësia e tij është t’u shërbejë qytetarëve dhe të mos tradhtojë besimin e tyre, duke ritheksuar se angazhimi i tij mbetet i lidhur me realizimin e projektit për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian.

“Më keni vënë në krye që të zgjohem para të gjithëve e të fle pas të gjithëve e kur jam zgjuar të mos ju tradhtoj kurrë e kur fle të mos shoh kurrë ëndrra se si të përfitoj në kurrizin e secilit prej jush, mbase nuk e keni dëgjuar akoma se unë ha fëmijë. Rrofshi dhe ishte dyfishi i fjalës, rrofshin fashistët, rrofshin socialistët, rroftë Shqipëria në BE”, vijoi ai.