“Më ka habitur fakti që Shqipëria për ta nuk është Evropë. Ka njëfarë rezistence për t’u transferuar atje. Disa prej tyre kanë të afërm në Gjermani. Shpresonin t’i bashkoheshin”.

Kështu u shpreh këshilltari rajonal italian Maurizio Bruno, i cili ka takuar pasditen e sotme disa nga rreth 40 emigrantët që do të transferohen në orët e ardhshme në objektin e ndërtuar nga qeveria italiane në Gjadër të Shqipërisë.

Bruno vizitoi Qendrën e Paraburgimit dhe Riatdhesimit që ndodhet në fshatin Contrada Restinco. Me të ishte edhe juristja Erminia Rizzi, e Asgi (Shoqata për Studime Ligjore mbi Emigracionin). Ndryshe nga ish-kryebashkiaku i Francavilla-s, avokati u ndalua në hyrje.


Bruno raporton se qendra aktualisht pret 46 persona nga kombësi të ndryshme, duke përfshirë Egjiptin, Bangladeshin, Marokun dhe Nigerinë.


“Shumica prej tyre, kanë aplikuar për azil politik. Në këto raste mund të ketë vështirësi në rregullimin e transferimeve”– sqaron ai.

Qendra është mbushur ditët e fundit. Emigrantët e destinuar për Shqipërinë janë pritur në ambiente të ndryshme të shpërndara në të gjithë Italinë. Anija Libra, një njësi e Marinës Italiane, i pret në hyrjen lindore të portit të Brindizit, ku është ankoruar që nga mëngjesi i sotëm.

Por kur do të bëhet nisja?

“Drejtuesit e qendrës thonë se nuk kanë marrë asnjë komunikim. Nuk dihet nëse transferimi do të bëhet nesër apo një ditë tjetër”– thotë Bruno.

Bruno takoi edhe mjekun kujdestar të qendrës.

“Qendra përbëhet nga tre hangarë. Një për 20 persona. Dy të tjerët mund të strehojnë 14 secili. Emigrantët janë pak të ngushtë, por nga pikëpamja shëndetësore dhe higjienike ishin në kushte të mira. Gjithçka ishte nën kontroll. Gjithçka ishte e qetë”– shton ai.