Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, gjatë një mbledhjeje me grupin parlamentar të PS dhe kabinetin qeveritar, theksoi rëndësinë e dy viteve të ardhshme për përgatitjen e Shqipërisë për anëtarësimin në Bashkimin Evropian. Ai e cilësoi këtë periudhë si një nga më të vështirat dhe theksoi nevojën për angazhim dhe qartësi në procesin e negociatave.
“Ky vit është shumë i rëndësishëm, pasi duhen përmbushur të gjitha kushtet për të mbyllur negociatat dhe për të arritur integrimin. Ende nuk ka një kuptim të plotë, as brenda grupit tonë parlamentar, për sfidat dhe barrën që ka përmbushja e kushteve të anëtarësimit. Shqipëria duhet të jetë gati për të përballuar një realitet të ri, një treg me 450 milionë njerëz,” u shpreh Rama.
Ai shtoi se negociatat për periudhat e ndërmjetme pas anëtarësimit janë në vazhdim, dhe një nga pikat më të rëndësishme që kërkon kujdes të veçantë është sigurimi i ushqimit. Sipas Ramës, në këtë sektor ka ende shumë punë për t’u bërë për të përmbushur standardet e BE-së.
Në përmbyllje, Rama nënvizoi se ky proces kërkon një angazhim të jashtëzakonshëm nga të gjitha institucionet për të garantuar suksesin e Shqipërisë në rrugën e saj drejt anëtarësimit në BE.
“Jemi larg në raport me kriteret e sigurisë ushqimore sipas BE. Kjo do të thotë që në momentin e anëtarësimit e më pas kur përfundon periudha e ndërmjetme, asnjë ushqim i prodhuar në Shqipëri nuk do mund të shitet jashtë vendit, por që do të thotë që edhe në Shqipëri mund të bllokohen nëse nuk përmbushin kriteret. Në skenarin më pesimist, do të thotë që gjithçka që hahet të importohet. Për këtë arsye duhet një super punë dhe një super vendosmëri nga ana jonë si vendimmarrës për të mos falur asgjë dhe askënd në emër të nevojës që të vazhdojë të punojë. Do vendosen të gjithë në pozita të forta përgjegjshmëria dhe pune, se në rastin më të mirë janë vetëm 10 vjet përpara. Nuk kemi lirinë që pasi negociojmë, të diskutojmë”, tha Rama.
