Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, ka reaguar sërish lidhur me deklaratat e tij për mundësinë e devijimit të rrjedhës së lumit Ibër, një çështje që ka ngjallur reagime edhe në Shqipëri.
Në një prononcim për RTS, Vuçiç i cilësoi diskutimet për këtë çështje si një çështje të brendshme të Serbisë.
“Është çështje e brendshme e jona. Nuk e di se çfarë lidhjeje ka Ibri me Shqipërinë”, është shprehur ai.
Duke folur për situatën pranë zonës së Ribariqit, presidenti serb tha se autoritetet do të shqyrtojnë fillimisht situatën dhe më pas do të vendosin për hapat e mëtejshëm.
Vuçiç reagoi gjithashtu ndaj kritikave nga pala shqiptare, duke pretenduar se ato lidhen me çështje të tjera që, sipas tij, kanë të bëjnë me trajtimin e serbëve në Kosovë.
Ai akuzoi institucionet e Kosovës dhe përfaqësues të komunitetit ndërkombëtar për presion ndaj institucioneve serbe në Kosovë, duke pretenduar se po synohet dobësimi i tyre.
Deklaratat e Vuçiç vijnë në një kohë kur çështja e lumit Ibër dhe përdorimit të burimeve ujore në rajon ka rikthyer diskutimet mbi ndikimin e projekteve ujore ndërkufitare në Kosovë dhe Shqipëri.
