Kryeministri Edi Rama ka komentuar protestat e zhvilluara në vend, duke folur edhe për momentin kur deklaroi se kishte menduar mundësinë e dorëheqjes nga posti.

Gjatë një interviste me gazetaren Rudina Xhunga, në kuadër të podcastit të tij, Rama u ndal te reagimet e qytetarëve dhe pakënaqësitë ndaj qeverisjes.

Sipas kryeministrit, këto zhvillime e kanë shtyrë të analizojë më thellë ndryshimet që kanë ndodhur në shoqërinë shqiptare, por edhe rritjen e pritshmërive që qytetarët kanë ndaj qeverisë.

Rama foli gjithashtu për ndikimin e teknologjisë dhe rrjeteve sociale, duke ngritur shqetësimin për përdorimin e profileve jo reale në internet për të nxitur narrativa dhe qëndrime të caktuara te publiku.

“Ishte një kohë në Shqipëri ku fitoheshin vota me çakull, pra çoheshin kamionë me çakull, hidhej çakulli në një lagje të mbaruar ose në një fshat dhe njerëzit të jepnin votën.

E konsideronin një dhuratë, për të cilën duhet të ishin mirënjohës. Ajo ishte një kohë që ka ikur prej kohësh.

Pastaj, unë kam përjetuar gjatë kohën kur një rrugë në komunitet, një shkollë e ndërtuar, një sistem ndriçimi i vendosur, shoqëroheshin me bekime më të mëdha dhe ishte festë. Nuk është më.

Madje, sot, pikërisht se gjërat kanë ndryshuar dhe sepse të gjithëve iu është bërë e mundshme çdo gjë, teoria e dikurshme e kohës kur ne morëm detyrën, “se ka dhe më keq, shyqyr mirë jemi, se ka dhe më keq”, i ka lënë vendin teorisë “ka dhe më mirë, pikë, mbaroj, mos më thuaj çfarë ke bërë.

Okej, tani ke kaq vjet, këtu më thuaj pse nuk janë bërë këto”. Në këtë sens, është një çështje pritshmërish. Nuk e prisja. Nuk e kuptova menjëherë. M’u desh të filloj të ndjek shenjat, të analizoj dhe ka pasur disa momente që më kanë ndihmuar shumë për ta kuptuar deri në fund. Dhe kam kuptuar që jemi në këtë fazë.

Është diçka shumë e mirë, sepse është një ndryshim zyrtar ose i vulosur nga njerëzit, i stinës së Shqipërisë. Por është diçka shumë sfiduese, sepse padurimi është i madh.

Hyjmë në një stinë të pritshmërive të rritura. Tovili e quan “revolucioni i pritshmërive të larta”. Faktikisht, një qytet që jeton me dy orë ujë në ditë, kur fillon të marrë 18 orë ujë në ditë, nuk i mjafton, duhet 24 orë. Ose nuk është më çështja e orëve, është edhe çështja e cilësisë.

Pra, një vend i cili 10 vjet përpara ishte tërësisht i mpirë dhe indiferent ndaj vrasjeve të kafshëve, prerjes së pyjeve masivisht, sot është në betejë ku biodiversiteti dhe mbrojtja e kafshëve janë temë.

Është kapërcim shumë i madh. Ndodhi ajo që i thonë “stuhia perfekte”, sepse u bashkuan shumë komponentë në një pikë dhe kjo i dha dhe një lloj madhështie. Ishte madhështore, patjetër. Unë fola për algoritmin sepse ishte një gjë e vërtetë, jo vetëm ishte e vërtetë, por ishte diçka shumë shokuese për ta parë nga këndi im. E kisha dëgjuar se si bëhen interferencat në zgjedhje, në vendet e tjera.

Se si bëhen për të nxitur revolta, se si u interferua i gjithë sistemi i komunikimit dixhital të Francës për të provokuar ato djegiet e Parisit. Por tjetër është ta shohësh se si ndodh, se si mijëra ushtarë të prodhuar nga laboratorët e teknologjisë, me fytyra dhe me emra shqiptarë, sulmojnë hapësirën dixhitale të vendit dhe krijojnë gjithë atë tension të madh, ose më saktë, e rrisin,” tha Rama.