Greva e urisë e shqiptarit Pano Ruçi, i cili prej katër javësh qëndron para Parlamentit grek duke kërkuar drejtësi për vdekjen e të birit në aksidentin tragjik hekurudhor të Tempit, ka ngjallur reagime të forta edhe në skenën politike të Greqisë.

Ngjarja është përmendur në seancë plenare edhe nga ministri i Mbrojtjes Kombëtare, Nikos Dendias, i cili u shpreh se nuk mund të kuptojë si dikujt mund t’i mohohet e drejta për të kërkuar zbardhjen e vdekjes së fëmijës së tij.

“Ne kemi fëmijë dhe nuk e kuptoj se si mund të mohohet e drejta e një babai për të kërkuar hetimin e vdekjes së fëmijës së tij,” tha Dendias, duke shtuar se “gjëja e fundit që i nevojitet këtij njeriu është që drama e tij të rëndohet edhe më tej.”

Reagimi i ministrit erdhi pas akuzave të kreut të opozitës, Sokrates Famellos, i cili akuzoi qeverinë për mosreagim ndaj kërkesave të Ruçit. Në përgjigje, Dendias theksoi se ndonëse ndjen solidaritet me babain e pikëlluar, çështja është në dorë të drejtësisë dhe jo e qeverisë. “Qëndrimin tim e kam shprehur dhe qëndroj përkrah këtij babai,” u shpreh ai.

Ndërkohë, Gjykata e Larisës ka pranuar kërkesën për zhvarrosjen e trupit të të ndjerit, Denis Ruçi, 22 vjeç, për të kryer një ekspertizë të re mjeko-ligjore, pasi familja dyshon se trupi në arkivol nuk është ai i djalit të tyre, për shkak të dëmtimeve ekstreme të shkaktuara nga zjarri pas përplasjes së trenave.

Avokatja e familjes ka kërkuar që në ekspertizë të përfshihet edhe një përfaqësues teknik i caktuar nga pala mbrojtëse, ndërsa procesi është shtyrë për javën e ardhshme.

Ndërkohë, gjendja shëndetësore e Pano Ruçit, që vazhdon grevën e urisë në qendër të Athinës, po përkeqësohet dita-ditës, ndërsa thirrjet për ndërhyrje po shtohen nga shoqëria civile dhe mediat në të dy vendet.