Drejtori i Policisë së Lezhës, Ermal Muça, ka dhënë detaje të reja lidhur me atentatin e mëngjesit të sotëm në fshatin Ndërfushas të Mirditës, ku mbeti i vrarë 65-vjeçari Viktor Bardhi.

Muça bëri me dije se njoftimi për ngjarjen ka mbërritur në sallën operative në orën 08:55. Rreth 20 minuta më vonë, në fshatin Rrejë është gjetur një automjet i djegur, i cili dyshohet se mund të ketë lidhje me ngjarjen.

Sipas kreut të Policisë së Lezhës, për atentatin është shoqëruar një person, ndërsa grupi hetimor është duke ndjekur një pistë konkrete për zbardhjen e ngjarjes.

Muça konfirmoi gjithashtu se gjatë kontrollit të automjetit të djegur nuk janë gjetur armë.

“Rreth orës 8:55 jemi njoftuar në sallën operative jemi njoftuar për një ngjarje të rëndë të ndodhur në Ndërfushaz. Dhe kemi ndërtuar grupin hetimor, kemi ardhur në vendngjarje dhe nga veprimet e para hetimore ka rezultuar që një shtetas është vrarë në automjetin e tij. Është shtetasi Viktor Marku, datëlindja 1961 dhe ndërkohë jeni edhe vetë prezentë, po bëhen dhe të gjitha veprimet hetimore. Rreth 20 minuta pas ngjarjes në fshatin Rrejë, është djegur një automjet, ku është ngritur një grup hetimor i dyte dhe po sqaron rrethanat e rastit. Po fiksohen të gjitha provat, po pyetën të gjithë dëshmitarët dhe do kemi një njoftim të dytë sapo të kemi diçka të re në lidhje më ngjarjen. Kemi një të shoqëruar dhe pistë hetimi kemi, por nuk mund ta ndajmë në këtë moment me mediat. Në makinën e djegur nuk janë gjetur armë”, u shpreh Muça.