Dy nxënës u konfliktuan sot në ambientet e shkollës në fshatin Cakran të Fierit.

Gjatë një konflikti të çastit dy nxënësit nga 17 vjeç secili u përleshën fizikisht, ndërsa njëri prej tyre nxori thikën, duke lënë të plagosur bashkëmoshatarin e tij. Nxënësi me iniciale Y.Xh u plagos në krah dhe aktualisht, ai ndodhet në spital ku po merr ndihmë mjekësore. Ndërsa autori me inicial B.D është shoqëruar në polici. Burimet bëjnë me dije se autori kishte ardhur në shkollë me thikë me vete. Pohohet gjithashtu se autori ka thënë se janë zënë sapo kanë hyrë në oborr të shkollës, pasi kishin debatuar për një postim në rrjetin social “Snapchat”, mbrëmjen e djeshme.

Ngjarja ka tronditur qytetarët lidhur me sigurinë në shkolla. Qytetarët shprehen se kjo nuk është hera e parë. “Nuk është hera e parë, kanë ndodhur edhe herë të tjera, janë bërë 3-4 çuna bashkë dhe kanë rrahur edhe mësuesin”, thotë qytetari, banor i zonës pranë gjimnazit “Mustafa Hoxha”.

Një banor i zonës thotë se ngjarja është e rëndë. “Sherri nisi dje, dëgjova që kishte shkuar policia, janë thirrur prindërit dhe duket se asgjë nuk është zgjidhur. Ja çfarë ndodhi sot”, thotë qytetari.

Një qytetar tjetër thotë se këtu nuk ka siguri në shkolla. “Kemi frikë për sigurinë e fëmijëve në shkolla. Nuk e ka fajin prindi, unë e dërgoj fëmijën në shkollë dhe iki në punë. Duhet të ketë kontroll të rreptë, duhet të ketë oficer sigurie që duhet të ketë kontrolle. Nxënësi mund të marrë edhe hanxhar me vete”, thotë një tjetër qytetar.

Ndërkohë që sipas një tjetër qytetari nis që nga salla e Parlamentit, atje ku deputetët shahen dhe nuk lënë gjë pa i thënë njëri-tjetrit.