Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka akuzuar kryeministrin Edi Rama për përqendrim të pushtetit dhe pengim të rotacionit politik. Gjatë një interviste televizive, ai deklaroi se Rama nuk do të largohet nëse nuk vendos vetë të dorëzojë pushtetin.

I pyetur për përgjegjësinë e opozitës dhe pakënaqësinë e një pjese të qytetarëve ndaj saj, Berisha mbrojti rolin e Partisë Demokratike. Në lidhje me këtë ai tha se opozita është një mision politik. Berisha pretendoi gjithashtu se përqendrimi i pushtetit është rritur gjatë qeverisjes së socialistëve, ndërsa akuzoi kryeministrin Rama se nuk është zgjedhur përmes një procesi të drejtë politik.

Sali Berisha: Sali Berisha dorëzoi pushtetin në vitin 2013 me koalicionin e tij, 48% të pushteteve. Ndaj, i dashur, nga viti ’92 deri në vitin 2012 patën vend katër rotacione. Shqipëria kaloi kriza në rrugë demokratike. Më vonë, sipas këtij instituti, kur u fut drejtësia e tëra në xhep, Edi Rama dhe PS-ja, arrin të ketë 90% të pushtetit në vitin 2020. Padroni i tij në Beograd, që u përmbys, nuk ka pasur më shumë se 60% të pushtetit.

Nëse kryeministri vendos të mos e dorëzojë pushtetin, bëj ç’të duash, nuk ja merr dot! Ka dy rrugë, si Çaushesku ose padroni në Beograd. Tani i iku koha atij! Nuk ke parë në Shqipëri, djem dhe vajza që kanë dalë në protestë. Në këto 35 vite politikë, kam 13 vite në pushtet, të gjitha të tjerat në opozitë. Opozita është mision real, unë kam qëndruar në opozitë duke u votëbesuar me dhjetëra herë.

Nga viti 2009, Edi Rama nuk është votuar asnjëherë të vetme. Aty s’votohet njeri, janë të gjitha emërime. E nisi karrierën si kryeministër për 200 milionë euro të fshehura në bankat offshore. Berisha ka dy vettinge, i vetmi politikan në Europë, ku kanë gjetur zero! Kanë gjetur ligjin dhe vetëm ligjin.