Konsulenti i fushatës së opozitës për zgjedhjet parlamentare të 11 majit, amerikani Chris LaCivita ka sqaruar sot pozitën e tij, në raport me SHBA-të dhe Sali Berishën.
LaCivita deklaroi se nuk përfaqëson qeverinë e SHBA-ve, por ‘një qytetar privat’, që merret me fushatat elektorale në vende të ndryshme të botës. Megjithatë, ai shtoi se zhvillimet në Shqipëri ndiqen me vëmendje nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
“Sa i përket Shteteve të Bashkuara, natyrisht, unë nuk flas në emër të qeverisë amerikane. Jam këtu si një qytetar privat dhe merrem me fushata politike në vende të ndryshme të botës.
Por ajo që e bën të veçantë për mua këtë rast, është fakti që këtu kemi konservatorë të vërtetë që po përballen me një regjim socialist dhe me një udhëheqës shumë të paqëndrueshëm, i cili ka sjellë paqëndrueshmëri si në qeveri, ashtu edhe në ekonomi. Dhe, natyrisht, është e domosdoshme të sigurojmë stabilitet në rajon. Kjo është arsyeja pse zhvillimet në Shqipëri ndiqen me vëmendje edhe nga Shtetet e Bashkuara, siç ndodh me çdo vend tjetër. Është shumë e thjeshtë. Ju mund të keni ndikim të drejtpërdrejtë në rezultatin e çdo zgjedhjeje, për sa kohë që ngriheni dhe bëheni pjesë e vendimit”, u shpreh LaCivita.
Kujtojmë se Chris LaCivita shërbeu si udhëheqësi i fushatës së Donald Trump në zgjedhjet presidenciale në SHBA, që i dhanë atij dhe mandatin e dytë si President. Me ardhjen në pushtet të Trump, në kampin opozitar e veçanërisht për Berishën, u rritën shpresat se shpallja e tij “non grata” nga Departamenti Amerikan i Shtetit do të tërhiqej, megjithatë deri më tani, nuk ka asnjë deklarim nga përtej oqeanit për këtë çështje.


