Djali i gruas 60-vjeçare që u vra me thikë nga partneri i saj shqiptar në Selanik ka zbuluar detaje të rëndësishme lidhur me ngjarjen tragjike. Ai ka treguar për mediat greke se nëna e tij, e cila ishte në një lidhje prej 21 vitesh me 46-vjeçarin, nuk kishte përjetuar dhunë fizike nga ai deri në momentin e tragjedisë. Sipas tij, ata kishin pasur debate të shpeshta kohët e fundit dhe kishin marrë vendimin për t’u ndarë.

“Ai kishte paketuar rrobat dhe gjërat dhe po përgatitej të largohej nga shtëpia,” ka thënë djali. Ai tregon se gjithçka ndodhi kur nëna e tij pa partnerin duke mbajtur një thikë gjatë një debati dhe mendoi se ai mund të sulmonte djalin e saj 29-vjeçar, që ishte në shtëpi. Ajo i kërkoi të hedhë thikën, por 46-vjeçari e goditi atë në bark, duke i shkaktuar vdekjen.

Djali shton se kur vëllai i tij kuptoi se çfarë kishte ndodhur, sulmoi partnerin e nënës dhe e goditi gjithashtu me thikë. Megjithatë, ai u largua menjëherë nga vendngjarja, dhe fatmirësisht vëllai i tij nuk është në rrezik për jetën.

I pyetur nëse kishte pasur raste të tjera dhune mes 46-vjeçarit dhe nënës së tij, djali i viktimës theksoi se “ai nuk i kishte prekur asnjë fije floku”. Tragjedia ka shkaktuar trishtim të thellë dhe ka ngritur pyetje rreth marrëdhënies së çiftit dhe motivit pas krimit.