Deputeti demokrat Dashnor Sula ka bërë të ditur se nuk do të jetë pjesë e listës së kandidatëve për deputetë të Partisë Demokratike në zgjedhjet e 11 majit. Arsyeja kryesore, sipas tij, është për shkak të qëndrimit të tij si mbështetës i drejtësisë dhe SPAK.
“Listë fituese apo listë për një përfitues?! Partia Demokratike ka hyrë në fazën finale të përzgjedhjes së kandidatëve për betejën e 11 majit. Por a po respektohen kriteret e Statutit të PD dhe ato që janë trumbetuar në media?” – shprehet Sula në një reagim publik.
Ai thekson se ndonëse shumica e kryesisë së PD ishte kundër primareve, ky proces u zhvillua. Si përfaqësues i qarkut të Elbasanit, përfshirë bashkitë Elbasan, Peqin, Cërrik, Belsh dhe Gramsh, Sula vendosi të marrë pjesë në primare pa bërë “kulisa të brendshme” për të testuar mbështetjen e demokratëve. Rezultati i tij në primare e nxori si më të votuarin në qarkun e Elbasanit.
“Në 4 vite si deputet kam denoncuar kontrabandën e naftës, braktisjen e bujqësisë e shumë të tjera.
Instituti i Studjimeve Politike më ka renditur disa herë te 10 deputetët më aktivë të Parlamentit në Opozitë Bërje.
Çdo ditë kam mbrojtur interesin e votuesve duke denoncuar në media dhe duke mbrojt edhe Partinë Demokratike. Kam takuar mijëra Shqiptarë në diasporë në këto 2-3 muajt e fundit me një objektiv dhe dëshirë të vetme, ti bind të kontribojne për të bërë vendin e tyre të begatë. Jam pritur me shumë respekt siç edhe i vlersojë
Por, të dashur miq, sapo jam njoftuar se nuk do të jem pjesë e listës së kandidatëve për deputetë të Partisë Demokratike në zgjedhjet e 11 majit për një arsye të vetme; sepse jam “SPAKIST”.
Për asnjë moment gjatë kësaj legjislature nuk kam vënë në dyshim vetëm një gjë: mbështjetjen time në çdo dalje në foltoren e Parlamentit të strukturave të Reformës në Drejtësi, SPAK dhe GJKKO-së. Kam besuar dhe besuar dhe vazhdoj të besoj se ato po vazhdojnë ti bëjnë një shërbim të madh këtij vendi, kanë futur në burg njerëz me pushtet, që pak vite më parë as mund të mendoheshin se do të ishin në këtë situatë.
Për mua kjo është një medalje që më vendoset pas 3 mandatesh deputet, po të kihet parasysh se jam mbështetës i atyre strukturave të Drejtësisë, të cilat nga cdo sondazh i bërë, dalin si institucionet më të besuara në vend. Për veten nuk kam asnjë keqardhje, kur e nisa këtë rrugë në 2005 as e kisha menduar se do rrija në politikë për 20 vjet. Të vetmen keqardhje e kam për demokratët e qarkut të Elbasanit dhe ata mijëra që kam njohur e takuar këto 2-3 muajt e fundit në Diasporë. Në fund kam edhe një mesazh për ata që janë ngujuar në kullë e po bëjnë listën e qarkut të Elbasanit, jo kushdo që do të futet në atë listë të mbyllur mund t’i gëzojë votat e demokratëve të Elbasanit, Peqinit, Cerrikut, Belshit dhe Gramshit. Keq më vjen, por nuk i keni bërë mirë llogaritë… ftoj të gjithë demokratët që për më shumë të më ndjekin sot në orën 21:00 në media”-shkruan Sula.