Sali Berisha hodhi poshtë opsionin e bojkotit pak orë para se Parlamenti të hapej për sesionin e ri. Bojkoti i demokratëve vlen vetëm për reformat.

Por, socialistët nuk kanë në plan të presin gjatë. Nëse nuk ka reflektim, formula e dy komisioneve të posaçme, atij të zgjedhores dhe territoriales, do të ndryshojë. Por Sali Berisha nuk ndryshon qëndrim.

“Asnjë përgjigje përveç asaj që do i japin shqiptarët më 24 janar Taos së famshëm të krimit dhe Edi Ramës. Ne nuk kemi bojkotuar parlamentin. Do jemi aty për të qenë zëri i qytetarëve”, tha Berisha.

Lajmi për Sali Berishën është tjetër. Projekti Smart City, që parashikon instalimin e 5 mijë kamerave inteligjente në 20 qytetet më të mëdha të vendit për të survejuar shqiptarët.

“Me Smart City, Edi Rama kompleton survejimin më të paligjshëm. Ky përbën asgjësimin e plotë të privacisë së tyre, pasi ky sistem regjistron jo vetëm individin, por edhe fytyrën me të gjithë emotivitetin e saj. Lëvizjet e tij në çdo destinacion”, tha Berisha.

Jo vetëm survejim të jashtëligjshëm; pas projektit, Berisha sheh të fshehura edhe interesa korruptive.

“Kostot e projektit në tërësi rezultojnë, krahasuar me zbatimin e tyre në vendet e tjera, në proporcion të paktën 10-12 herë më të larta. I bie rreth 15 herë më shtrenjtë projekti në Shqipëri, po të kemi parasysh se këtu as 2 milionë banorë nuk janë dhe projekti kushton 157 milionë euro”, u shpreh Berisha.

Berisha paralajmëroi se do të ankohet tek ndërkombëtarët, pasi projekti, në bindjen e tij, përbën shkelje të të drejtave të njeriut.

Top Channel