Qindra qytetarë janë bashkuar këtë pasdite në Durrës në një marshim proteste në kujtim të dy fëmijëve që humbën jetën tragjikisht në aksidentin e ndodhur pak ditë më parë në zonën e ish-Kënetës.
Tubimi nisi pranë stadiumit të qytetit, ndërsa qytetarët marshuan përgjatë rrugës “Aleksandër Goga” drejt Bashkia Durrës, ku u përqendrua protesta.
Në marshim morën pjesë familjarë të viktimave, banorë të zonës, nxënës, bashkëmoshatarë të fëmijëve, por edhe përfaqësues të opozitës.
Të pranishmit mbanin pankarta me mesazhe prekëse dhe thirrje për drejtësi, ku shkruhej: “Nuk ishin numra, ishin fëmijë”, “Kjo plagë nuk mbyllet pa drejtësi” dhe “Ne kërkojmë drejtësi për dy engjëjt”.
Nxënësit kërkuan gjithashtu më shumë siguri dhe hapësira për fëmijët, duke theksuar nevojën për ambiente të sigurta ku ata të luajnë dhe të jetojnë pa rrezik.
Në krye të marshimit ndodhej një automjet me pankartën “Dy jetë të mitur u fikën, ku është drejtësia?”, simbol i revoltës dhe dhimbjes së qytetarëve pas tragjedisë që tronditi qytetin.
