Imami Justinian Topalli ka folur sot në “Breaking”, ku foli në lidhje me rastin e rëndë të ndodhur në Orosh të Fushë-Arrëzit, ku u arrestuan dy terroristë, Hamza Uka dhe Julian Cumrraku.

Sipas Imamit, këta persona nuk kanë patur dijeni për besimin që ndiqnin pasi flamuri që kishin vendosur në banesën ku ishin ngujuar, nuk ishte i grupit terrorist ISIS. Ai tha se xhamitë janë vende të sigurta ku nuk ka predikime radikale.

“Unë nuk i njoh këta persona. Shumë njerëz frekuentojnë xhaminë, por idetë që ata kanë është e vështirë të kuptohen. Këta nuk komunikonin me pjesën tjetër të besimtarëve në xhamitë ku janë falur, mesa di unë. Kanë patur dhe precedentë penalë. Është e vështirë të flas për ta. Flamuri që ata kanë vendosur në mur, është e qartë që nuk ia kanë idenë. Ngjan me flamurin e ISIS, por nuk është ai. Ka një shkrim që e dallon. Ky detaj tregon që nuk kanë njohuri mbi atë që bëjnë. Flamuri nuk është i ISIS edhe pse ngjan. Fakti që janë radikalizuar duhet hetuar.

Në dijeninë time, predikimet radikale nuk ndodhin në xhami. Përgjithësisht komunikime të tilla ndodhin në rrjetet sociale, apo dhe në ambiente të jashtme. Në xhami ka kontrolle dhe janë vende të sigurta. Nuk di si kanë rënë në kontakt me idetë e ISIS. Mund të ketë patur dhe një person që u ka folur, por të jeni të bindur se në xhami nuk ka predikime të tilla. Mund të kenë qenë dhe adhurues të ISIS, por hoxhallarë të tillë nuk ka.”– tha ai.