Ish-deputetja e LSI, Monika Kryemadhi, i ka cilësuar një “gjueti shtrigash” akuzat e ngritura ndaj saj dhe ish-bashkëshortit të saj, Ilir Meta mbi pasurinë.
Kryemadhi theksoi se nuk ka asnjë provë konkrete për pretendimet që janë bërë ndaj saj, ndërsa ironizoi disa prej tyre si “absurde dhe të pavërtetuara”.
“Gjithçka është një gjueti shtrigash. PD në një anë, nuk them që nuk ka sulmuar LSI-në dhe Ilir Metën. PS po ashtu. Por perceptimi publik iu bashkua një fletërrufeje. Asnjë prej akuzave ndaj meje nuk ekziston. Një artikull thoshte që kam miniera në Afrikë. I gjetën minierat në Afrikë këta?”, deklaroi ajo.
Kryemadhi foli edhe për pasurinë e saj dhe të familjes, duke theksuar se çdo e ardhur është e dokumentuar dhe e deklaruar, ndërsa tha se pasuria më e madhe e saj është familja.
“Familja është pasuria ime më e madhe. Pasuria nuk janë paratë, për mua është familja. Se mund të kesh paratë, por të shtyp makina sa del në rrugë. Unë nuk jam e pasur, por nuk jam as e varfër. Nga buron pasuria ime? Të ardhurat. Monika Kryemadhi ka lidhur në mes të Tiranës, te pallatet Shallvare, në kat të pare”, tha ajo.
Ajo u ndal edhe tek blerja e apartamentit në zonën e Bllokut, për të cilin SPAK ka ngritur dyshime për pastrim parash.
“Shtëpia në Bllok është blerë me kredi bankare 200 mijë euro dhe 200 mijë euro të tjera nga fitimi i apartamentit në Qerret. E gjitha është e deklaruar”, tha ajo për News24.