Pas ngjarjes së rëndë në Devoll, ku një 59-vjeçar humbi jetën pasi kishte qenë për trajtim në një klinikë dentare, kanë dalë detaje të reja nga hetimet.

Mësohet se ai kishte shkuar në klinikë i shoqëruar nga dy djemtë, një kushëri dhe një grua e afërt. Pas kryerjes së një mbushjeje dentare, pacienti është ndjerë keq dhe disa herë ka përsëritur fjalët: “S’jam mirë”.

Sipas të dhënave të para, dyshohet se shkaku i vdekjes ka qenë një atak kardiak. Ndërkohë, grupi hetimor ka sekuestruar kartelën mjekësore, ku janë të dokumentuara procedurat e ndjekura gjatë trajtimit.

Nga kontrolli paraprak nuk është konstatuar ndonjë shkelje apo neglizhencë nga ana e mjekut stomatolog, por pritet që ekspertiza mjeko-ligjore të përcaktojë përfundimisht shkakun e saktë të vdekjes.

Për rastin është marrë në pyetje dentisti 36-vjeçar, i cili ka dhënë shpjegimet mbi procesin e trajtimit të kryer ndaj 59-vjeçarit që më pas ndërroi jetë.