Një moment tensioni dhe batutash është regjistruar në seancën plenare të Kuvendit, pasi Ulsi Manja kërkoi të merrte fjalën për replikë pas deklaratave të kreut të opozitës Sali Berisha, me argumentin se emri i tij ishte përmendur gjatë diskutimit.

Kërkesa e Manjës u refuzua nga drejtuesi i seancës, Niko Peleshi, i cili theksoi se diskutimet po zhvilloheshin me kohë të përcaktuar dhe se nuk kishte mundësi për ndërhyrje shtesë.

“Nuk mundet, jemi në diskutime me minutazh të caktuar, në orën 16:00 duhet të kenë përfunduar të gjithë diskutimet. Unë nuk jam Niko”, iu drejtua Peleshi ministrit, duke shkaktuar reagime në sallë.

Pas kësaj deklarate, deputetët e opozitës shpërthyen në duartrokitje dhe ovacione, ndërsa situata u shoqërua me tensione dhe batuta mes palëve në Kuvend.

“Zoti Manja e tha që në fillim, nuk ndërpritet për procedurë dhe Replikë. Kur t’ju vijë radha do të flisni. Me rregullore e kemi me minutazh të dakordësuar. Nuk mund ta bëni këtë gjë, kur t’ju vijë radha”, vijoi Peleshi duke ia dhënë fjalën kreut të grupit parlamentar të PS Taulant Balla.