Kryeministri Edi Rama nuk i ka kursyer batutat teksa ka folur për turizmi ne Shqipërisë në Spanjë.

Nga Madridi, Rama ka bërë krahasim me futbollin, teksa tha se vendi ynë po i afrohet “Ligës së Kampionëve” në këtë sektor. Sipas kreut të qeverisë, Shqipëria nuk është në nivelin e Real Madrid, por mudn të cilësohet “Girona e re e Evropës”.

“Shqipëria sot është si Spanja një herë e një kohë kur nisi të rilindte pas një të shkuare diktatoriale shumë të vështirë dhe një vend që jo shumë kohë më parë përgjatë jetës sime, ishte shumë i izoluar qoftë nga Perëndimi ashtu edhe nga Lindja. Një ‘’Kore e Veriut’’ e Evropës  me 5 mijë vizitorë në vit dhe shumica prej tyre marksistë-leninistë të cilët vinin  në Shqipëri.

Ndërkohë vitin e kaluar arritëm afro 12 milionë kështu që në një farë mënyre, po i afrohemi Champions League së turizmit, jo në nivelin e Real Madridit siç është Spanja por jemi Girona e re e Evropës kur vjen fjala për turizmin dhe ma ha mendja që nuk është keq. Verën e kaluar turistët spanjollë ishin veçanërisht të lumtur në Shqipëri sepse ndodhi që Spanja të luante në Kampionatin Europian dhe të rrihte Shqipërinë. Në shumë sheshe ku ndeshja transmetohej në televizion turistët spanjollë u habitën që shqiptarët duartrokitën ekipin spanjoll edhe pse u rrahën prej tyre. Kështu e kuptojmë ne mikpritjen, miku vjen gjithmonë i pari”-, tha Rama.