“New York Times” i ka kushtuar një reportazh dy rusëve dhe ukrainasit, që patën aventurën e tyre pranë ish-uzinës ushtarake në Gramsh dhe vetëm para pak kohësh fituan lirinë nga gjykatat tona. Blogerja ruse, 34-vjeçarja Svetlana Timofeyeva, është në listën e kërkimit ndërkombëtar nga ana e autoriteteve ruse.

Për “NY Times” ajo tregon se ka aplikuar për azil politik në Shqipëri dhe shprehet se “burgu në Rusi është më i keq se këtu në Shqipëri”. Timofeyeva deklaron gjithashtu se nuk mund të udhëtojë, pasi pasaporta është konfiskuar nga autoritetet shqiptare, deri në fund të gjykimit dhe dhënies së vendimit përfundimtar.

Pa aparatet fotografike, të cilat u konfiskuan, 34-vjeçarja thotë se nuk mund të fitojë para si dikur, duke bërë video dhe fotografi për dasma dhe evente. Nami si spiune ruse e ka ndjekur edhe në burg. Vetë i mohon akuzat duke thënë se tensionet gjeopolitike si pasojë e luftës në Ukrainë kanë bërë që shumë bashkatdhetarë ta shohin me dyshim, pasi vetë ajo e kundërshton luftën. Timofeyeva thotë se grupi kishte vizituar edhe uzina të tjera ushtarake në Shqipëri, por ata nuk kishin hasur kurrë probleme. Vetë Moska ka bërë kërkesë për ekstradimin e saj, pasi ka hyrë në mënyrë të paligjshme në një objekt nëntokësor ushtarak në vitin 2018. Ekstradimin e quan hakmarrje, pasi ajo është rreshtuar kundra luftës me postimet që bënte në Instagram, ku numëron mbi 250.000 ndjekës.

Presidentin Putin ajo e quante një gjysh të çmendur. 34-vjeçarja tregon edhe detaje nga jeta e saj për “New York Times”. Ish-bashkëshorti i saj ka punuar si fotograf për grupin famëkeq ushtarak, Ëagner. Kur jetonte në Moskë, ajo punoi me ministrinë e Kulturës dhe jo në inteligjencën ruse. Nëntë muajt në burg i kaloi duke mësuar shqip dhe vizatuar male.

Shpreson shumë të eksplorojë Shqipërinë dhe të shihte atraksione te saj. Pyet nëse është spiunazh nëse merr një varkë për të eksploruar Sazanin. Mikhail Zorin, është i vetmi në arrest shtëpie. Ai ka pranuar që spërkati me piper rojet e uzinës së Gramshit, pasi ata iu afruan dhe më vonë gjatë marrjes në pyetje nga policia tha se ai ishte një agjent rus. E pranova, shprehet Zorin, pasi isha i detyruar. 24 vjeçari ishte student në Pragë para se të udhëtonte për në Shqipëri. Kohën e kalon duke biseduar online me miqtë. Zorin, është gjysmë ukrainas, teksa Rusia nuk ka kërkuar ekstradimin e tij nga Shqipëria. Ai thotë se kur të lirohet nuk do të kthehet në shtëpi nga frika se mos e rekrutojnë dhe e dërgojnë të luftojë në Ukraine kundra vëllezërve të vet. Ndërkohë, me ironi Timofeyeva thotë e dëshpëruar se po të ishin pjesë e inteligjencës ruse të paktën do të kishin marrë një makinë, por kanë vetëm një biccikletë në apartamentin e tyre.

Zorin thotë se kishin zgjedhur uzinën e braktisur të armëve, sepse dukej e shkatërruar, por pa e ditur se ishte një objekt ushtarak. Iu afruan dy burra, ai nuk e kuptoi se ishin roje dhe nga paniku nxori sprajin me piper që e mbanë me vetë në rast emergjencash. Gjatë marrjes në pyetje, thotë studenti, oficerët e akuzuan se ishte spiun rus. Gjithashtu pretendon se e kërcënuan, e rrahën dhe i ushtruan presion.

Nga frika se mos i ndodhte diçka më e keqe, ai shpiku një histori se agjencia e inteligjencës ruse i kishte kërkuar të spiunonte në Shqipëri dhe kishte thënë se familja e tij në Rusi do të përballej me pasoja nëse nuk do ta bënte. “E kuptoj që kjo ishte shumë budallallëk”, thotë Zorin për “New York Times”.

“Deklarimi si spiun në ato momente ishte alternativa më e mirë shton”, ai. Zëdhënësi i Policisë së Shtetit, Genti Mullai i quan deklarimet e Zoranit “krejtësisht të pavërteta”, duke shtuar se policia kishte vepruar “në përputhje të plotë”, sipas procedurave standarde të punës dhe duke respektuar të drejtat e njeriut. Edhe prokurori Kreshnik Ajazi i hedh poshtë këto deklarata duke thënë se rojet ishin me uniforme dhe se 24-vjeçari nuk u torturua. Tre eksploruesit urbanë, siç e quajnë veten, jetojnë në një apartament të vogël me dy dhoma gjumi, ndërsa miqtë dhe familja u dërgojnë para për shpenzimet.

Ata kaluan 9 muaj në burg për akuzat e “sigurimit të informacioneve sekrete të karakterit ushtarak apo të çdo karakteri tjetër për t’i dhënë një fuqie të huaj, e cila cenon pavarësinë e vendit”. Tashmë atyre u ndalohet të largohen nga Shqipëria derisa të ngrihet një aktakuzë ose të rrëzohen të gjitha akuzat. Çështja pritet të “mbyllet” në gushtin e vitit 2024, afati i fundit për të ngritur aktakuzë ndaj tyre.