Sandro Mugnai, një zejtar 56-vjeçar nga San Polo (Arezzo), i cili në vitin 2023 qëlloi dhe vrau fqinjin e tij, Gëzim Dodoli, pasi shqiptari kishte tentuar t’i shembte shtëpinë me ekskavator, u lirua plotësisht nga akuzat “sepse akti nuk përbën krim”.

Mediat italiane shkruajnë se vendimi u dha pasditen e djeshme, më 5 dhjetor, ku prokurorja Laura Taddei në seancën e fundit dëgjimore kishte kërkuar një riklasifikim të akuzës nga vrasje me dashje në “mbrojtje të tepruar nga vetëmbrojtja”, duke kërkuar një dënim me katër vjet burg.

Dy vjet pas vrasjes, Gjykata e Krimeve të Rënda e Arezzos vendosi që akti nuk përbënte krim.

“Tani do të përpiqem të gjej qetësi shpirtërore”, komentoi Sandro Mugnai, duke shtuar: “Jam i kënaqur me këtë vendim, por për mua, nuk ka asgjë për të festuar. Sepse një person është i vdekur.”

Francesca Cotani, avokatja e palës së viktimës, tha se: “Nëse e pranojmë argumentin e vendimit, duke filluar nga nesër, nëse dikush më prish makinën, unë mund të dal në dritare dhe ta qëlloj.”

“Të tre të shtënat u qëlluan pasi ekskavatori kishte ndalur dhe ndryshuar drejtimin. Mugnai e pranoi sfidën dhe qëlloi”, shtoi ajo.

Si ndodhi ngjarja?

Ngjarja ndodhi në vitin 2023 për shkak të marrëdhënieve të tensionuara fqinjësore midis autorit dhe viktimës.

Mbrëmjen e 5 janarit, Gëzim Dodoli shkatërroi me ekskavator fillimisht makinat e parkuara përpara shtëpisë së Sandro Mugnai në San Polo, një fshat i vogël i Arezzos, dhe më pas duke goditur drejtpërdrejt muret e shtëpisë ku 56-vjeçari po darkonte me familjen e tij.

Më pas, Mugnai mori pushkën dhe qëlloi fillimisht një herë në ajër, pastaj katër herë të tjera drejt fqinjit që drejtonte ekskavatorin, duke e vrarë atë.