Shpresa për hapjen e regjistrimeve të Lotarisë Amerikane për vitin 2027 është shtyrë sërish, pasi Gjykata e Apelit e Qarkut të Nëntë në SHBA ka pezulluar përkohësisht zbatimin e një vendimi që detyronte administratën amerikane të rihapte aplikimet.
Vendimi, i marrë më 29 tetor, i jep mundësi administratës Trump të mbajë të mbyllur programin e vizave të diversitetit, ndërsa vijon shqyrtimi i ankimit të saj.
Gjykata e Apelit nuk ka dhënë një vendim përfundimtar mbi çështjen dhe as nuk ka miratuar qëndrimin e Departamentit të Shtetit për mosnisjen e regjistrimeve. Ajo vlerësoi se studioja ligjore e imigracionit Red Eagle Law, e cila kishte ngritur padinë, nuk kishte bazë të mjaftueshme ligjore për të kundërshtuar vendimin e autoriteteve.
Çështja nisi pasi Red Eagle Law kërkoi ndërhyrjen e gjykatës për të detyruar Departamentin e Shtetit të hapte regjistrimet për programin DV-2027.
Më 14 tetor, gjyqtarja federale Jinsook Ohta kishte vendosur në favor të studios ligjore, duke urdhëruar autoritetet të shpallnin periudhën e aplikimeve deri më 29 tetor dhe ta hapnin procesin më 1 nëntor.
Lotaria Amerikane, e njohur si Programi i Vizave të Diversitetit, parashikon dhënien e deri në 55 mijë vizave çdo vit për shtetasit e vendeve me nivele të ulëta emigrimi drejt Shteteve të Bashkuara.
Për momentin, aplikimet për DV-2027 mbeten të mbyllura dhe nuk ka një datë të re për hapjen e tyre. Çështja pritet të vijojë në Gjykatën e Apelit.
