Demokrati Ilir Alimehmeti ka komentuar zhvillimet brenda Partisë Demokratike në një intervistë.

Duke folur për zgjedhjet për kryetarin e partisë, Alimehmeti e përsëriti dhe një herë qëndrimin e tij publik se nuk kishte ambicie për të kandiduar përballë Berishës, për kryetar të PD, ndërsa shtoi se synonte të kandidtonte për kryetar bashkie. Ai pohoi se nëse do të kishte një kandidat tjetër, gara do të kishte qenë më interesante, duke shtuar se në këtë rast nuk është garë por thjesht rikonfirmim.

“Kur është vetëm një kandidat, është rikonfirmim. Se s’ka si të jetë ndryshe. Një garë do të kishte qenë më interesante. Garat për kryetar të opozitës nuk i nënshtrohen elektoratit, por anëtarësisë së vetë. Është anëtarësia ajo që vendos, një anëtar një votë, për kryetarin. Nuk është sistem perfekt, ka mangësitë e veta. Por kështu është vendosur nga statuti. Më pas elektorati ka të drejtën e vetë brenda një partie që të shohë totalin dhe të marrë vendimet e veta. Ka dhe mendim ndryshe në anëtarësi. Mund të kishte dhe votë në një masë ndryshe. Por se kam pasur dyshim që nuk do të konfirmohej Berisha në krye të PD. Po mendoj se ka dhe figura të tjera. Fitojmë apo jo, kjo është çështje tjetër. Kush është në nivele kryesuese, kryetar degësh, siç patëm zotin Elezi. Për një platformë fituese do të duhej një punë më e gjatë. Nuk po shoh që të jetë dikush që të ofrojë një propozim serioz në këtë aspekt total. E kuptoj dashamirësinë, por duhet të kuptohet dhe ambicia e personit përkatës. Nuk e kam këtë ambicie. Kam tjetër objektiv, e kam treguar qartë me vite. Objektivi im ka qenë i drejtuar drejt Tiranës. Ambicia e kryetarit të PD dhe nesër kryeministër, është tjetër lloj çështje, gare, territorialisht më e gjerë. Mendoj se ka njerëz më të avancuar”, tha ai për news24.