Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Ervin Salianji, gjatë një takimi me qytetarët në zonën e Kombinatit bëri thirrje për pjesëmarrje masive në protestën e nesërme të opozitës. Pas takimit, Salianji akuzoi qeverinë për braktisje të qytetarëve dhe theksoi se korrupsioni ka përfshirë qeverinë, duke nënvizuar nevojën për reagim dhe mobilizim qytetar.
Me anë të një postimi në Facebook, Salianji u bëri thirrje që nesër në orën 18:00, banorët e Kombinatit të bashkohen në protestë, duke theksuar mungesën e zgjidhjeve nga ana e qeverisë dhe përqendrimin e saj te skandalet, aferat dhe propaganda.
“Në Kombinat, qeveria ka rënë ne duhet ta dëshmojmë!
PROTESTO NESËR, E HËNË, Ora 18:00! Korrupsioni ka përmbytur qeverinë, ndërsa qeveria ka braktisur qytetarët. Në vend të zgjidhjeve, menaxhon vetëm skandale, aferat dhe propagandën.
Edi Rama është në krye të një strukture të kalbëzuar që ka shkatërruar Shqipërinë për interesa personale, duke e lënë vendin pa shpresë, pa siguri dhe pa drejtësi. Nuk ka më kohë për të pritur.
Nuk ka më justifikime. Koha është për reagim! Koha që Rama të largohet!
Bashkohu nesër në Bulevard, ora 18:00!”, shkruan Salianji.
