Kanë hyrë në fuqi ndryshimet e reja në Kodin Rrugor, të cilat parashikojnë masa më të rrepta ndaj drejtuesve që shkelin rregullat e qarkullimit, me synim rritjen e sigurisë në rrugë dhe uljen e numrit të aksidenteve.
Ndër ndryshimet më të rëndësishme është pezullimi i lejes së drejtimit deri në dy vjet për drejtuesit që kapen duke drejtuar automjetin nën efektin e alkoolit mbi normat e lejuara ose në gjendje të dehur.
Po ashtu, janë ashpërsuar sanksionet për tejkalimin e shpejtësisë, duke parashikuar gjoba më të larta dhe pezullim të lejes së drejtimit për shkelësit që përsërisin kundërvajtjet.
Ndryshimet prekin edhe përdorimin e telefonit celular dhe pajisjeve të tjera të komunikimit gjatë drejtimit të automjetit, duke vendosur rregulla më të forta për shmangien e shpërqendrimit në timon.
Risi ka edhe në procedurat për rikthimin e lejes së drejtimit pas pezullimit, ku janë përcaktuar afate dhe kushte të reja që drejtuesit duhet të plotësojnë.
Autoritetet theksojnë se paketa e re ligjore synon të forcojë disiplinën në qarkullimin rrugor dhe të rrisë sigurinë për të gjithë përdoruesit e rrugës.
