Analisti Lorenc Vangjeli ka komentuar zhvillimet e fundit politike në vend, duke e cilësuar rezultatin e zgjedhjeve si një situatë që nuk sjell ndonjë ndryshim thelbësor.

“Sipas parimit, rezultati nuk është kushedi se çfarë, edhe kjo është e njëjta gjë. Kur shkëputesh nga e përditshmja, kuptojmë që është një pikë uji, e gjithë e përditshmja jonë. Po të shohësh lajmet që jepen ditë pas dite duket sikur bëhet hataja, në fakt nuk ka ndryshuar ndonjë gjë e madhe”, u shpreh Vangjeli.

Ai tha se e majta u përpoq të përtypte një rezultat që nuk e kishte pritur në këto nivele, ndërsa theksoi se çdo gjë në politikë është një riciklim.

“Meqë nuk shpiket asgjë, thjesht riciklohet. Kam përshtypjen që ekipi që do të na qeverisë besoj se do të rivitalizohet”, tha Vangjeli, duke shtuar se kryeministri Rama mund ta përmendë situatën me stilin e tij të batutave: ‘qeveri teknike deshët, qeveri teknike ta dhash’.