Prej paradites së sotme rruga Librazhd – Qafë Thanë është bllokuar për shkak të rrëzimit të një masivi gurësh, duke krijuar kaos dhe radhë të gjata automjetesh.

Ndërkohë zyra e Emergjencave Civile në prefekturën e Elbasanit thotë se vijon puna për hapjen në vendin e quajtur Dragostunjë, pas problematikave të shkaktuara nga masivi i paqëndrueshëm i dheut. Sipas informacioneve zyrtare, pritet që brenda rreth një ore të nisë qarkullimi i mjeteve në mënyrë të kontrolluar në njërën anë të aksit rrugor, pasi aktualisht nuk ka siguri për kalimin e mjeteve.

Sipas njoftimit të Zyrës së Emergjencave Civile pranë Prefekturës së Elbasanit, në terren ndodhen mjetet dhe punonjësit e firmës ANK, e angazhuar në punimet e Koridorit 8, si dhe firma kontraktuese 2T, që merret me mirëmbajtjen e këtij aksi rrugor.

Aktualisht po punojnë katër ekskavatorë dhe një fadromë, me qëllim pastrimin dhe stabilizimin e zonës, për të mundësuar hapjen e qarkullimit të mjeteve në njërën anë të rrugës. Dy prej mjeteve janë duke operuar në pjesën e sipërme të masivit, duke hedhur materialin e mbetur, i cili konsiderohet i paqëndrueshëm dhe i rrezikshëm për kalimin e automjeteve.