Ish-deputeti demokrat Qani Xhafa ka apeluar vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë, që e dënoi me 900,000 lekë gjobë, dhe ka kërkuar ndryshimin e dënimit. Pas dorëzimit të apelit, Gjykata e Apelit shtyu sot shqyrtimin e çështjes.

Në kërkesën e tij, Xhafa pretendon se nuk ka të ardhura dhe nuk ka mundësi financiare për të paguar shumën e vendosur si gjobë. Avokati i tij ka sugjeruar që gjykata t’i aplikojë një dënim me kusht, për shkak të pamundësisë ekonomike për të përballuar gjobën.

Ngjarja që çoi në ngritjen e akuzave ndodhi më 13 mars 2023 në Elbasan, kur Xhafa, i dehur gjatë drejtimit të mjetit, përplasi një qytetar. Pas aksidentit ai u arrestua, por u lirua një ditë më pas; më vonë postoi në Facebook se ndodhej në gjendje të mirë shëndetësore.

Me marrjen e dosjes nga GJKKO, trupa gjykuese vendosi që hetimet të kryhen nga SPAK, duke arsyetuar se më parë hetimet ishin zhvilluar nga një prokurori jo kompetent.

Në kohën e aksidentit, Xhafa ishte kandidat për deputet; ai hyri në Kuvend si deputet i Partisë Demokratike pasi Luciano Boçi dha dorëheqjen për të kandiduar për kryetar bashkie në Elbasan.