Deputeti i mazhorancës, Erion Braçe, iu drejtua opozitës sa i përket pyetjeve të drejtuara për kryeprokurorin Altin Dumani.

Ai u shpreh se seanca të tilla plenare nuk janë bërë edhe në vende të tjera europiane ku janë arrestuar kryeministra e ministra në detyrë.

“Sapo ju dëgjova që kanë akuzuar dikë se ka zbatuar programin e partisë së tij. Pesë minuta më pas i kërkove kryeprokurorit pse nuk keni arrestuar dikë që ka zbatuar programin e partisë së tij. Nuk kam parë seancë si kjo as në Austri, ku është arrestuar kryeministri. Nuk kam parë seancë si kjo në parlamentin grek, kur herë pas here janë arrestuar ministra. Nuk kam parë seancë si kjo as në Itali, në Parlamentin Italian, ku janë arrestuar ministra e kryeministra me thes. Nuk kam parë seancë si kjo as në Parlamentin Francez, ku u arrestua presidenti. Nuk kam parë seancë si kjo as në Gjermani, ku është akuzuar për korrupsion ‘babai i Europës’, Helmut Kohl.

Po ju them dhe njëherë që nuk ndodh në asnjë parlament të botës që një i pandehur t’i kërkojë shpjegim në sallën e Parlamentit prokurorit të tij. Këtë pabarazi e kemi marrë ne përsipër. Është pabarazi në raport me qytetarin, me atë që ju iu drejtuat, se këtë seancë po e bëni për të.

Absurdja që shikoj këtu paradite është kur prokurorit i kërkohej llogari për zhvlerësimin e euros dhe jo forcimin e lekut… Që prokurori të merret me kursin e këmbimit të euros është mbi detyrën e tij. Kur bëmë Reformën në Drejtësi, këtë kishim parasysh: të ndanim drejtësinë nga politika.

Mendoj se ja kemi dalë në momentin kur kryeprokurorët e SPAK-ut nuk emërohen nga politika, por nga KLP-ja. I gjithë presioni politik që zotëria foli, na bën ne përgjegjës në këtë aspekt.

Unë dua të arrestohet filani, unë dua të arrestohet ai. Kur arrestohet ai, pse arrestove këtë dhe jo atë. Nëse ne shkojmë drejt kësaj historie banale, çdo prokuror që do të emërohet në këtë detyrë, nuk do ta bëjë dot detyrën e tij”, tha Braçe.