Seanca gjyqësore ndaj ish-presidentit Ilir Meta nuk ka vijuar këtë të enjte, ndërsa procesi është shtyrë për në 24 shtator, në orën 10:00.
Shkak është bërë mungesa e gjyqtares Rudina Palloj, pjesë e trupës që po shqyrton çështjen. Për këtë arsye, gjykata ka konstatuar se seanca nuk mund të zhvillohej pa praninë e të gjithë anëtarëve të trupit gjykues.
Në sallë ndodhej edhe përfaqësuesi ligjor i kreut të Partisë së Lirisë, ndërsa përpara vendimit për shtyrjen, prokurori paraqiti disa kërkesa lidhur me procesin.
Gjatë seancës, Meta ngriti gjithashtu pretendime për dokumentacionin e dosjes që i është vënë në dispozicion.
Sipas raportimeve nga salla, ish-presidenti deklaroi se nuk ka marrë të gjithë materialin e çështjes dhe pretendoi se mungojnë dhjetëra fashikuj.
“Nuk më janë vendosur në dispozicion edhe 77 fashikuj të tjerë”, mësohet të jetë shprehur Meta.
Pas ndërprerjes së seancës, procesi pritet të rinisë më 24 shtator, kur palët do të rikthehen në sallën e gjyqit.
