Një ngjarje shqetësuese ka ndodhur në qytetin e Gjirokastrës, ku një 50-vjeçar i diagnostikuar me probleme të shëndetit mendor i ka vënë flakën apartamentit të tij, në një pallat 5-katësh në lagjen “Zinxhira”.

Fatmirësisht nuk raportohet për të lënduar, por rasti ka nxjerrë në pah një problem të mprehtë social dhe institucional, mungesën e zgjidhjeve për personat me çrregullime të shëndetit mendor që jetojnë të vetmuar dhe pa mbështetje.

Banorët e pallatit tregojnë se situata kishte kohë që ishte përkeqësuar. Sipas tyre, 50-vjeçari jetonte i vetëm pasi nëna e tij kishte ndërruar jetë disa muaj më parë, dhe që prej asaj kohe gjendja e tij ishte rënduar ndjeshëm.

Ata shprehen se ai shpesh bërtiste gjatë natës dhe nuk merrte më mjekimin e duhur.

“Ankoheshim vazhdimisht në komisariat dhe në shërbimet sociale, por nuk morëm asnjë zgjidhje,” thonë banorët. Madje, disa prej tyre tregojnë se kujdeseshin vetë për të, duke i çuar ushqim, pasi nuk kishte njeri që të kujdesej.

Fiksi u interesua pranë Bashkisë Gjirokastër,  ku drejtues të shërbimit social konfirmojnë se janë njohur me rastin që prej muajve tetor-nëntor, pas ankesave të vazhdueshme të banorëve.

Sipas tyre, janë bërë kërkesa pranë Shërbimit Social Shtetëror, por pa asnjë përgjigje konkrete.

“Nuk kemi ku ta çojmë”, pranojnë ata, duke theksuar mungesën e institucioneve të specializuara për trajtimin dhe strehimin e rasteve të tilla.

Ata shtojnë se qytetari ishte dërguar më parë në Spitalin Psikiatrik në Vlorë, por ishte mbajtur vetëm për pak ditë dhe më pas ishte rikthyer sërish në komunitet.

Nga ana tjetër, policia e Gjirokastrës deklaron se nuk ka pasur kallëzime penale ndaj 50-vjeçarit, por vetëm ankesa për shqetësim të qetësisë publike.

Sipas tyre, raste të tilla referohen në prokurori bazuar në nenin 59 të Kodit Penal, i cili parashikon pezullimin e dënimit dhe vendosjen në provë, në varësi të rrezikshmërisë së personit dhe kushteve të tij shëndetësore.

Por në praktikë, kjo do të thotë se personi rikthehet sërish në komunitet, pa një zgjidhje afatgjatë.

Rasti i Gjirokastrës tregon qartë boshllëkun institucional, mungesën e qendrave të specializuara dhe koordinimit mes institucioneve.

Ndërkohë, banorët mbeten të ekspozuar ndaj të njëjtit rrezik, duke jetuar me frikën se një ngjarje e tillë mund të përsëritet./TCH