Zbulohen detaje të reja nga seanca me dyer të mbyllura në Gjykatën e Dibrës, ku u vendos masa e sigurisë “arrest me burg” për Fatjon Bushgjokën dhe Petrit Çakrrin, të akuzuar për vrasjen e 23-vjeçarit Renis Dobra.

Seanca u shoqërua me debate të forta, pasi Bushgjoka ka kundërshtuar ashpër provat e paraqitura nga organi i akuzës, duke pretenduar se nuk ka lidhje me krimin. Nga ana tjetër, prokuroria ka theksuar se dosja përmban prova të mjaftueshme, përfshirë të dhëna nga sistemet GPS të automjeteve dhe pamje filmike nga kamerat e sigurisë, që dokumentojnë ndjekjen e makinës së viktimës nga dy automjete të tjera.

Ndërkohë, dy vëllezërit e Fatjon Bushgjokës, Kristi dhe Aleksandër Bushgjoka, janë shpallur në kërkim dhe dyshohet se janë larguar nga Shqipëria menjëherë pas ngjarjes.

Autoritetet po vijojnë hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të kësaj ngjarjeje të rëndë që tronditi opinionin publik.