Deputeti i Partisë Socialiste, Ardit Bido, ka reaguar pas akuzave të bëra nga Sali Berisha gjatë seancës plenare të fundit, duke e akuzuar këtë të fundit për shpifje dhe mosvëmendje ndaj qëndrimeve të vetë deputetëve të opozitës.

Në një deklaratë publike, Bido sqaron se është larguar nga salla për shkak të një fatkeqësie familjare, ndërsa shton se Berisha ka keqinterpretuar fjalën e tij, duke mos dëgjuar as kolegët e vet opozitarë.

“Doktori i bllofeve nuk dëgjon më as të vetët. Për shkak të një fatkeqësie familjare u detyrova të largohem nga seanca dhe nuk pata mundësi t’i replikoj Berishës, i cili nuk kupton as për kë po flitet dhe i djeg nën kësulë,” shkruan Bido në një reagim në rrjete sociale.

Ai theksoi se fjalën e tij në Kuvend e kishte drejtuar ndaj një deputeti të opozitës për një deklaratë të papranueshme ndaj liderëve të UÇK-së një deklaratë që sipas tij “nuk do ta bënte as Serbia.”

Bido përfundon reagimin e tij duke thënë se kjo është arsyeja pse opozita nuk arrin të bindë qytetarët: “Kjo opozitë nuk kupton se çfarë thotë vetë dhe për këtë nuk bind askënd.”