Protesta kundër qeverisë vijon në Tiranë, ku studentë dhe qytetarë kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama. Mesazhet e demonstruesve janë të ashpra, ndërsa një prej tyre deklaroi se nuk do të largohet nga bulevardi pa përmbushjen e kërkesës për ndryshim në krye të qeverisë.

“Nuk largohemi, të japë dorëheqjen Edi Rama. Jo gaz të na hedhë, dhe me raketa të na gjuajë, edhe ushtrinë le të nxjerrë, nuk ia falim”, u shpreh protestuesi, duke theksuar vendosmërinë për të vijuar qëndrimin në protestë.

Ai renditi një sërë shqetësimesh që, sipas tij, lidhen me jetën e përditshme të qytetarëve, duke përmendur mungesën e furnizimit me ujë të pijshëm 24 orë, mungesën e kopshteve në zonën ku banon dhe çmimet e larta të qirave.

Protestuesi kritikoi gjithashtu kontrastin mes vështirësive ekonomike me të cilat, sipas tij, përballen qytetarët dhe shpenzimeve luksoze që ai ia atribuoi kryeministrit.

“Nuk ka bërë asgjë në këto 14 vite. Premtoi ujë 24 orë, nuk ka. Jetoj në një lagje ku nuk ka kopsht. Qiratë nga 700 euro”, deklaroi ai, duke shprehur pakënaqësinë për premtimet që pretendon se nuk janë përmbushur.

Në fund, protestuesi përsëriti thirrjen për largimin e kryeministrit, duke e mbyllur mesazhin me fjalët: “Koha e Edi Ramës ka mbaruar!”

Protesta vijon mes kërkesave për dorëheqjen e qeverisë dhe pakënaqësive të qytetarëve për koston e jetesës, shërbimet publike dhe situatën politike në vend.